Eksperti Pritchard shton se Inteligjenca Artificiale mund të zëvendësojë vetëm atë që arrin të bëjë njeriu dhe për këtë arsye, nuk e ka ndryshuar ende situatën rreth sigurisë kibernetike.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka paralajmëruar për rrezikun e sulmeve kibernetike me ndihmën e Inteligjencës Artificiale. Gjatë një konference të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, Britania njoftoi se po krijon një laborator të ri për t’iu kundërvënë sulmeve të tilla nga vende armiqësore, përfshirë Rusinë. Megjithatë, disa ekspertë nuk pajtohen me këtë duke thënë se ekzistojnë shumë boshllëqe që hakerët mund t’i shfrytëzojnë nëpërmjet metodave tanimë të provuara. Ata thonë se paralajmërimet për sulme me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, mund të jetë të ekzagjeruara.
Bota mund të ndeshet me sulme më të rënda kibernetike përmes Inteligjencës Artificiale.
Ky paralajmërim u bë nga ministri britanik Pat McFadden, gjatë një fjalimi në Konferencën e Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, në Londër.
Qeveria britanike veçoi Rusinë si një burim të mundshëm të këtyre sulmeve. Londra po krijon një laborator për t’u përballur me, siç e quajti ministri McFadden, këtë “garë të re armatimi me ndihmën e Inteligjencës Artificiale”.
Faqet e internetit të qeverisë ukrainase, në vitin 2022, u përballen me sulme kibernetike për të cilat shërbimet e sigurisë fajësuan Rusinë.
Megjithatë, disa ekspertë nuk janë të bindur se Britania e Madhe do të përballet së shpejti me një valë sulmesh kibernetike të fuqizuara nga Inteligjenca Artificiale.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim për Inteligjencën Artificiale sikur të ishte një ndryshim i madh në natyrën themelore të operacioneve kibernetike. Përkundrazi, mendoj se ne ende po përballemi me të njëjtat probleme që i kishim dhjetë vjet më parë. Ne ende po luftojmë për t’u marrë me probleme të njëjta”, thotë James Sullivan nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara.
Qeveria britanike thotë se Inteligjenca Artificiale mund të “përforcojë kërcënimet ekzistuese kibernetike”, por gjithashtu thotë se paraqet mundësi për t’u mbrojtur kundër tyre.
Eksperti James Sullivan pajtohet.
“Inteligjenca Artificiale mund të analizojë sjelljen e përdoruesit dhe madje edhe reagimin ndaj incidentit. Unë mendoj se kjo është e rëndësishme. Mund të automatizojë proceset e reagimit ndaj incidentit, sepse ne kurrë nuk do të mund të mbrohemi nga këto incidente gjatë gjithë kohës”, thotë ai.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po i kërkon NATO-s që t’i përshtatet këtij kërcënimi të ri, siç ka bërë gjatë historisë së saj prej shtatë dekadash.
Por, disa ekspertë thonë se kërcënimi i sulmeve kibernetike që nuk shfrytëzojnë Inteligjencën Artificiale është ende “shumë i madh”.
“Unë dëgjoj gjatë gjithë kohës për mashtrime që kryhen duke shfrytëzuar Inteligjencën Artificiale. Më pas e kuptojmë se mashtrimet nuk kryhen fare ashtu. Miliarda dollarë përfitohen në mënyrë të jashtligjshme pa shfrytëzuar fare Inteligjencën Artificiale”, thotë Rob Pritchard, ekspert i sigurisë kibernetike.
Eksperti Pritchard shton se Inteligjenca Artificiale mund të zëvendësojë vetëm atë që arrin të bëjë njeriu dhe për këtë arsye, nuk e ka ndryshuar ende situatën rreth sigurisë kibernetike.
“Nuk shoh ndonjë gjë veçanërisht të rëndësishme. Momentalisht nuk egziston mundësia që të japësh urdhër dhe Inteligjenca Artificiale të kryejë sulme kibernetike”, thotë ai, duke shtuar se Britania momentalisht po has në vështirësi të përballet me sulmet kibernetike që kryhen pa ndihmën e Inteligjencës Artificiale.
Copyright: © PCWorld Albania
Ne kujdesemi për të dhënat tuaja, dhe do të përdorim cookie-t vetëm për të përmirësuar përvojën tuaj. Cilësimet dhe politikat e privatësisë