Monedhë

Kategoritë

4 vjet më parë

Në kohën e pandemisë rriten krimet kibernetike

Megjithatë, ekspertët e teknologjisë informative, thonë se masat e izolimit të ndërmarra nga autoritetet, kanë bërë që të rriten mashtrimet në internet dhe në përgjithësi krimet kibernetike.

Masat e vendosura për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, kanë ndikuar në uljen e numrit të vjedhjeve klasike, thonë zyrtarët e Policisë së Maqedonisë së Veriut.

Në muajt e fundit, nëse të dhënat krahasohen me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, del se numri i vjedhjeve është ulur për trefish. Në këtë ulje të rasteve të krimeve ka kontribuar edhe ora policore, masë kjo që u vendos pas përhapjes së sëmundjes COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Megjithatë, ekspertët e teknologjisë informative, thonë se masat e izolimit të ndërmarra nga autoritetet, kanë bërë që të rriten mashtrimet në internet dhe në përgjithësi krimet kibernetike.

Bekim Fataji, ligjërues i Shkencave të Teknologjisë Informative në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se qytetarët, për shkak të panikut të krijuar nga koronavirusi, përgjigjet po i kërkojnë në internet. Ai thotë se qytetarët duke kërkuar informata rreth koronavirusit, kanë rënë pre e softuerëve të dëmshëm, të njohur si “malware” (lloj i viruseve kompjuterike), të cilët janë të maskuar në forma të ndryshme dhe kryesisht duke pasur hartën e koronavirusit.

“Shumica e studiuesve të sigurisë në internet dhe krimeve kibernetike e kanë gjetur dhe e kanë analizuar këtë ‘malware’ të hartave të koronavirusit, që për qëllim kanë vjedhjen e informacioneve personale të përdoruesve të internetit, siç është identiteti, fjalëkalimet, numrat e kartelave të bankës dhe informacioneve të tjera të ndjeshme”, thotë Fetaji.

Ndërkaq, Mane Pieperevski, ekspert për siguri kibernetike në “Piperevski Consulting”, thotë për Radion Evropa e Lirë se përhapja e koronavirusit ka rritur edhe kërkesën për blerjen e pajisjeve mbrojtëse ndaj COVID-19, gjë që ka çuar në shitjen online e produkteve të dyshimta sanitareve dhe të ilaçeve të ndryshme.

“Përdorimi më i madh i teknologjisë gjatë kohës së pandemisë, rrit edhe rrezikun e sulmeve kibernetike. Duam ose jo, ne duhet të mësohemi se si të mbrohemi, përkatësisht se si të detektojmë ofertat e dyshimta që ofrohen përmes platformave online sepse gjithnjë e më shumë po ofrohen produkte me kualitet shumë më të dobët sesa origjinali. Pra, duhet kushtuar shumë vëmendje dyqaneve, përkatësisht ueb-faqeve që bëjnë shitje online”, thotë Pieperevski.

Ndërkaq, profesori Fetaji thotë se mashtrimet në internet po nxjerrin në pah mungesën e edukimit të qytetarëve, sa i përket sigurisë kibernetike.

“Mungon një edukim i sigurisë kibernetike te qytetarët, përkatësisht ajo se qytetarëve duhet t’u përcillen disa informata që çdo njëri nga ta, të jetë i kujdesshëm dhe të shmangë kurthet në internet, si dhe të vizitojnë vetëm faqet zyrtare të institucioneve të ndryshme, të shtëpive mediatike, etj”.

“Njëkohësisht, informacionet (lidhur me koronavirusin) duhet marrë vetëm nga ueb-faqet e institucioneve, siç është Ministria e Shëndetësisë, OBSH-ja dhe jo përmes ueb-faqeve të dyshimta, me harta të koronavirusit, që kanë tituj bombastik, e që në fakt janë kurth për vjedhjen e të dhënave. Qytetarët po ashtu duhet të kenë kujdes edhe në përdorimin e postës elektronike, përkatësisht ndaj e-maileve që kërkojnë informata të ndjeshme”, thotë Fetaji.

Pieperevski, ndërkaq thotë se me shfaqjen e pandemisë së koronavirusit, probleme paraqiten edhe për shkak se bankat nuk ofrojnë shërbime, siç bënin më parë.

“Problemi më i madh gjatë kohës së pandemisë është ajo se qytetarët, gjatë orarit të shkurtuar të punës së bankave, nuk mund të reagojnë me kohë për të bllokuar kartelat bankare, kur vërejnë se ato u janë keqpërdorur”, thotë ai.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut në vazhdimësi kanë thënë se mbeten të fokusuara në avancimin e kapaciteteve për siguri më të madhe kibernetike, në nivel vendi, sipas standardeve të vendeve të Bashkimit Evropian.

Copyright: © PCWorld Albania

Dil i kënaqur me: